Название: Forcat E Kundërta
Автор: Aldivan Teixeira Torres
Издательство: Tektime S.r.l.s.
Жанр: Детская проза
isbn: 9788873047650
isbn:
—Të falenderoj që më shoqërove gjithë këtë kohë. Nuk e di se çfarë më pret në shpellë dhe as nuk e di se çfarë do më ndodhë aty. Ndihma jote është shumë e rëndësishme për mua. Qëkur hipa në mal, e kuptoj se jeta ime ka ndryshuar. Jam më i qetë dhe me më shumë vetëbesim për atë çka dua. Do ta përfundoj edhe sfidën e dytë.
—Shumë mirë. Do shihemi pas tre ditësh duke filluar që nga ky moment.
Dhe duke thënë këtë, gruaja u zhduk edhe një herë tjetër. Ajo më la vetëm në qetësinë e mbrëmjes rrethuar nga bulkthat, mushkonjat dhe insektet e tjera.
Fantazma e Malit
Mbi mal ra nata. Ndeza një zjarr dhe kërcitjet e tij më ngrohin zemrën. Ka kaluar dy ditë që kur hipa në mal dhe ende më duket aq i panjohur. Mendimet më fluturojnë dhe ndalin në fëmijërinë time: Shakatë, frikërat, tragjeditë. Më kujtohet mirë dita kur u vesha dhe u ngallosa si një Indian: Me hark, shigjetë dhe sëpatë. Tani, u gjenda në malin që ishte bërë i shenjtë, pikërisht duke marrë shkas nga vdekja e indigjenit misterioz (Mjeku i fisit). Më duhet ta çoj mendimin diku tjetër pasi frika po ma bën shpirtin akull. Zhurmat shurdhuese rrethojnë kasollen time dhe unë nuk kam asnjë ide se çfarë apo kush mund të jetë. Si e kapërcen një njeri frikën që ka në një moment të tillë? Më jep një përgjigje, ti lexues, pasi unë nuk e di. Mali është akoma i panjohur për mua.
Zhurma po afrohet gjithnjë e më shumë dhe unë nuk kam ku të largohem. Ta braktis kasollen do ishte një budallallëk pasi mund të më kullufisin bishat e egra. Më duhet t’i bëj ballë çfarëdo që të jetë. Zhurma pushon dhe shfaqet një dritë. Kjo më frikëson akoma më shumë. Me guxim të tepruar, flas me zë të lartë:
—Në emër të Zotit, kush është aty?
Një zë hundor, me një tingull të pakuptueshëm, më përgjigjet:
—Jam luftëtari trim që është asgjësuar nga shpella e dëshpërimit. Hiq dorë nga ëndrrat e tua ose do të kesh të njëjtin fat si unë. Kam qenë një njeri indigjen nga një fshat në Kombin Xukuru. Aspiroja të bëhesha kryetari i fisit tim dhe të isha më i fortë se luani. Kështu që iu drejtova malit të shenjtë për të arritur qëllimet e mia. Dola fitimtar te të treja sfidat që më imponoi roja e malit. Prapëseprapë, me të hyrë në shpellë, më gëlltiti zjarri i saj duke më shkatërruar kështu zemrën dhe qëllimet e mia. Sot, shpirti im vuan dhe ka ngecur pa shpresë te ky mal. Dëgjomë ose përndryshe do kesh të njëjtin fat si unë.
Zëri sikur më ngriu në grykë dhe për një moment nuk mund t’i ktheja përgjigje shpirtit të munduar. Ai kishte lënë pas shtëpi, ushqim, një mjedis të ngrohtë familjar. Më kishin mbetur dy sfida në shpellë, në atë shpellë që mund ta bënte të pamundurën realitet. Nuk do të hiqja dorë kaq lehtë nga ëndrra që kam.
—Më dëgjo mua, luftëtar trim. Shpella nuk bën mrekullira për gjëra të parëndësishme. Nëse gjendem këtu, është për një mision fisnik. Nuk më hyjnë në sy të mirat materiale. Ëndrra ime shkon përtej kësaj. Do më pëlqente të zhvillohesha profesionalisht dhe shpirtërisht. Me pak fjalë, dua të punoj duke bërë atë që më kënaq, të fitoj para në mënyrë të përgjegjshme dhe të kontribuoj me talentin tim për një univers më të mirë. Nuk do të heq dorë aq kollaj nga ëndrra.
Fantazma u përgjigj:
—A e njeh shpellën dhe kurthet që ka ajo? Ti nuk je gjë tjetër veçse një djalosh i gjorë, i pavetëdijshëm për rrezikun ekstrem në këtë rrugë që po ndjek. Roja është një sharlatane që të ka mashtruar. Ajo do shkatërrimin tënd.
Këmbëngulja e fantazmës më mërziti. A më njohu mua ajo, si rastësisht? Zoti, me mëshirën e tij, nuk do ta lejonte që unë të dështoja. Zoti dhe Shën Mëria faktikisht kanë qenë gjithmonë në anën time. Dëshmia e kësaj ishte shfaqja e Shën Mërisë gjatë gjithë jetës sime. Tek "Vegimi i një Mjeti" (libër që ende nuk e kam botuar) përshkruhet një skenë ku unë po ulem në një stol brenda në shesh, zogjtë dhe era po më ngacmojnë, dhe unë jam zhytur në mendime të thella rreth botës dhe jetës në përgjithësi. Papritmas, shfaqet silueta e një gruaje që me të më parë mua, pyet:
—A beson në Zot, biri im?
Shpejt i përgjigjem:
—Sigurisht dhe me gjithë qenien time.
Menjëherë, ajo më vë dorën në kokë dhe lutet:
—Zoti i Gjithëlavdishëm të mbuloftë me dritë dhe të dhëntë shumë dhurata.
Dhe me të thënë këtë, u largua dhe kur e kuptova, ajo nuk gjendej më pranë meje. Thjesht u zhduk.
Ishte shfaqja e parë e Virgjëreshës Mari në jetën time. Dhe prapë e veshur si lypëse, erdhi tek mua duke më kërkuar ca të holla. Tha se ishte një fshatare dhe ende nuk kishte dalë në pension. I dhashë në çast disa monedha që më gjendeshin në xhep. Me të marrë paratë, më falenderoi dhe kur e kuptova, ajo ishte zhdukur. Në atë moment në mal, nuk kisha dyshimin më të vogël që Zoti më donte dhe që e kisha në krah. Prandaj, iu përgjigja fantazmës me njëfarë ashpërsie.
—Nuk do ta dëgjoj këshillën tënde. I di kufijtë e mi dhe besimin tim. Ik, largohu! Shko frikëso ndonjë shtëpi apo ndonjë diçka tjetër. Më lër rehat!
Dritat u fanitën dhe dëgjova zhurmën e hapave teksa largoheshin nga kasollja. Isha çliruar nga fantazma.
Dita D
Kaluan tre ditë që prej sfidës së dytë. Ishte e Premte në mëngjes, me një kohë të kthjellët, plot diell dhe dritë. Këtë mëngjes po sodisja horizontin kur m’u afrua gruaja e çuditshme.
—A je gati? Kërko një ngjarje të pazakontë në pyll dhe vepro sipas parimeve që ke. Kjo është sprova jote e dytë.
—Në rregull, ka tre ditë që po e pres këtë çast. Mendoj se jam i përgatitur.
Gjithë nxitim, u drejtova për nga shtegu më i afërt që të nxirrte tek pylli. Hapat e mi vazhduan nën një ritëm gati muzikor. Çfarë do ishte tani kjo sfida e dytë? Më pushtoi ankthi dhe shpejtova hapin në kërkim të objektivit të panjohur. Mu para meje u shfaq një lëndinë në shtegun që u nda në dy të tjera. Por kur arrita atje, për habinë time nuk kishte më dy shtigje të degëzuara dhe në vend të kësaj po shihja këtë skenë: një djalë që po tërhiqej zvarrë nga një i rritur, dhe që po qante me të madhe. Më përfshinë emocionet para kësaj mizorie dhe kështu që thirra me të madhe:
—Lëre djalin! Ai është më i vogël dhe i pambrojtur.
—Jo. Nuk do ta lë! Po sillem kështu me të pasi ai nuk do të punojë.
—Ti ore përbindësh! Fëmijët e vëgjël nuk duhet të punojnë. Ata duhet të mësojnë dhe të jenë të arsimuar. Lëre rehat!
—E ça do më bësh, ti?
Unë jam krejtësisht kundër dhunës por СКАЧАТЬ